Mundet Milani, “makineria e paprovuar” bie meritueshëm në Specia!

Shenjat ishin dhënë ndonëse inercia vazhdoi të bënte punën e vet deri tani. Milani i sotëm është me të vërtetë një “teknologji e paprovuar”, një kombinim lojtarësh dhe skemash prej jo më shumë se një viti bashkë, dhe pritej që një ditë të rrëzohej. Pas humbjes në kampionat me Juventusin dhe eleminimit në Kupë nga Interi erdhi më e keqja nga të gjitha, humbja në fushën e Specias modeste, madje duke merituar gjithçka me lojë. Xhulio Maxhore në 56’ dhe Simone Bestoni në 67’ shënuan golat për vendasit.

Nuk bënë punë tepër të lavdëruarit Zllatan Ibrahimoviç apo Donaruma, si dhe lojtarët e tjerë të talentuar kuqezinj, plus qetësië dhe diturinë e trajnerit Stefano Pioli. Gjithçka do kohën e vet, do dhe investimin e vet, siç kanë treguar “projektet” Atalanta, Lacio e padyshim Juventus e deri diku Interi. Me humbjen në stadiumin e Specias, kuqezinjtë rrezikojnë të humbasin kreun e renditjes që e mbajnë prej fillimit të sezonit. Interi ka 47 pikë ndaj 49 të Milanit, dhe do të luajë nesër ndaj Lacios në 20:45. Gjithsesi, as ekipi i Kontes nuk ka gjë të garantuar, ndaj skuadra e Piolit mund të shpresojë që ta mbajë kreun edhe pas kësaj jave.

Sfidanti.al