Zhoze Murinjo tani duhet të mendojë ndoshta sesi mund të jetë lufta për të qenë të paktën në 10-en e parë të Premier Ligës, pra pak më lart se mesi i tabelës së renditjes. Për çështjen kryesore, atë të titullit, mendon Pep Guardiola dhe Mançester Siti i tij që me fitoren 3-0 pikërisht ndaj Totenhemit u ngjitën në kuotën e 53 pikëve në krye të klasifikimit, me 7 pikë më shumë sesa Leisteri, madje me një ndeshje më pak të luajtur. Mançester Junajtidi ka 45 pikë (-8) me të njëjtin numër ndeshjesh.
E pra, Jurgen Klopi le të jetë i qetë, pasi nuk mund të gjente trashëgimtar më të mirë për t’i lënë në duar titullin e fituar vjet nga Liverpuli. Rodri Hernandez me penallti dhe dy herë Ilkai Gyndogan shënuan golat në “Etihad”, dhe me këtë rezultat, Guardiola u hakmorr “me interes” për humbjen 0-2 të pësuar në fushën e Totenhemit të Murinjos në fazën e parë. Duket se çështja e titullit mund të quhet e zgjidhur ndonëse jemi ende në mesin e shkurtit, ndërsa gara do të jetë e fortë për kualifikimin në Champions, pasi pretendojnë Leisteri, Junajtidi, Liverpuli, Çelsi, Uest Hemi, Evertoni, Aston Vila e Totenhemi, pse jo edhe Lidsi e Arsenali.
Sfidanti.al