Ronaldo dhe Juventusi? Jo, më të fortë ishin Rrahmani e Napoli!

Nëse duhej një shqiptar në fushë, ai ishte dhe e nderoi siç duhet emrin prej “Perëndie” të stadiumit napolitan. Amir Rrahmani fitoi 11-metërshin që përcaktoi sfidën Napoli-Juventus në Serinë A, ndërsa Lorenco Insinje realizoi përballë Sheznit dhe ia dedikoi golin gruas së tij me rastin e Shën Valentinit. Fitoi karakteri i pathyeshëm i Xhenaro Gatuzos, ish-legjendë e Milanit që dëshiron të jetë po kaq i madh në stolin e trajningut, dhe jo futbolli elegant dhe i zgjuar i mjeshtrit Andrea Pirlo.

Fitoi Napoli, pavarësisht mallkimit të dëmtimeve. Vendasve u mungonin Elseid Hysaj, Mertens, Kulibali, Gulam, Deme e Manolas, ndërsa gjatë nxemjes pësoi “avari” edhe portieri titullar Ospina. Në vend të tij, Meret, por rrjeta e tij nuk u tund nga yjet juventinë. Kristiano Ronaldo pati një mbrëmje për t’u harruar dhe humbi një gol të sigurt në pjesën e dytë, në një goditje me kokë. Një revansh napolitan pas humbjes 0-2 në finalen e Superkupës ndaj Juventusit, një revansh edhe për Rrahmanin pas ndonjë problemi që pati në ndeshjet e kaluara. Gatuzo besoi tek mbrojtësi i Kosovës dhe nuk u gabua.

Kjo humbje bëri që Juventusi të pësonte ndalesën e parë pas 8 ndeshjeve në të gjitha konkurrimet, dhe të humbiste shansin për t’iu afruar kryesuesvve të Milanit apo edhe Interit. Juvja mbetet në 42 pikë pas 21 ndeshjeve, ndërsa Milani kishte 49 pikë deri para fillimit të sfidës me Specian, e Interi 47. Napoli u ngjit në 40 pikë, baraz me Romën e Lacion dhe gara në Serinë A këtë vit është vërtet shumë e fortë.

Sfidanti.al