Paraqitje të mëdha, por rezultate të ndryshëm. Lebron Xhejms, Luka Donçiç dhe Janis Antetokumbo ishin që të gjithë protagonistë në mbrëmjen e fundit në NBA duke udhëhequr ekipet e tyre, ndonëse dy të parët fituan nga greko-afrikani u mund. Lebroni shënoi 25 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë duke ndihmuar Lejkërsat të fitonin në Los Anxhelos ndaj Oklahomës, por vetëm pas kohës shtesë. Rezultati ishte 114-113, dhe Xhejmsi barazoi në fund të kohës së rregullt me një tripikësh, si dhe vulosi fitoren me një vjedhje topi.
Donçiç pati 28 pikë, 10 topa në tabela e 10 asistë, duke i shtuar një tjetër tripëll dabëll karrierës së tij tepër të re në NBA, dhe ndoshta do të jetë rekordmeni i ardhshëm për të kaluar edhe Oskar Robertsonin. Forma e mirë e sllovenit ndihmoi Dallasin që të ngjitej në vendin e 11-të në Perëndim pas fitores 118-117 ndaj Atlanës. Një sezon vërtet shumë i vështirë dhe i ekuilibruar, por të paktën Dallasi pati 1 500 njerëz në Arenë pasi ishin të vaksinuar. Një problem më vete ishte luajtja e himnit amerikan për herë të parë në këtë Arenë. NBA e urdhëroi pronarin e klubit, Mark Kjuban (në foto), i cili kishte kundërshtuar me arsyetimin se “himni amerikan nuk i përfaqëson të gjitha nivelet e shoqërisë”.
Një tjetër ndeshje e fortë u luajt në Arenën e Feniksit, ku “Diejt” vendas (Sansët) fituan 125-124 ndaj Miluokit. Janis Antetokumbo shënoi 47 pikë, niveli më i mirë i sezonit, si dhe shtoi 11 topa në tabela e 5 asistë. Në renditje, Lejkërsat janë në vend të dytë në Perëndim, ndërsa Miluoki është i dyti në Lindje.
Sfidanti.al