Boatengu dhe femrat, historia e turbullt e një ylli futbolli!

Gjithçka që i ka ndodhur në jetë ka qenë padyshim diçka personale, vetjake, private. Zherom Boateng u kthye në qendër të vëmendjes së publikut që ndjek futbollin pas vetëvrasjes së të dashurës së tij, Kasia Lenhartit, ndërsa nëpër media u pasqyrua edhe një herë historia e tij e gjatë dhe e turbulluar me femrat. Vështirë se mund t’i ndodhte ndryshe një djaloshi të rritur fare thjesht dhe që u bë milioner tepër shpejt, si dhe mjaft i famshëm që në moshën 19-20-vjeçare.

Nga Herta, tek Hamburgu pastaj me Mançester Sitin e së fundmi me Bajernin, mbrojtësi i qendrës ishte një personalitet futbolli, që doli kampion i Europës me Gjermaninë U21 dhe kampion i botës me kombëtaren gjermane. Në jetën private nuk i eci kaq mirë, nuk qe kaq i ekuilibruar dhe kaq “profesionist”. Që në 2007, ende pa mbushur 19 vjeç, u lidh me modelen Sherin Senler, femra më jetëgjatë në krah të tij në dy periudha 2007-2011 dhe 2013-2018 duke pasur edhe dy vajza. Në 2018-2019 u lidh me modelen tjetër Rebeka Silvera, ndërsa në fund të 2019-s pati lidhjen me të ndjerën Kasia Lenhart, e cila raportohet se vrau veten në ditën e lindjes së djalit të saj 6-vjeçar. Boatengu mori leje tek Bajerni dhe u kthye nga Katari në Gjermani, ndonëse nuk dihet se çfarë roli mund të luajë në përcjelljen e Kasias për në banesën e fundit apo në hetimet për vdekjen e saj. E sigurt është që kjo gjë do t’i lerë një shenjë të thellë në mendje.

Sfidanti.al