Prag Bajern-Tigres, bavarezët duan trofeun e gjashtë të sezonit, por Myleri del pozitiv!

Suksesi në gjysmëfinale ishte vetëm hapi I parë. Një skuadër si Bajerni nuk kënaqet kurrë po qe se nuk merr në duar trofeun dhe bavarezët do ta kenë shansin sot për të realizuar një tjetër objektiv. Pas fitores 2-0 ndaj Al Ahlit të Egjiptit, kampionët e Gjermanisë dhe të Europës do të jenë përballë Tigresit të Meksikës, në finalen e Kupës së Botës për Klubet. Bëhet fjalë për titullin e gjashtë të sezonit, pra për të barazuar rekordin botëror të vendosur nga Barcelona në vitin 2009.

Meksikanët shkaktuan një të papritur duke mundur Palmeirasin e Brazilit, dhe duke u bërë e para skuadër nga Amerika e Veriut që arrin në një finale të tillë. Bajerni jepet favorit, ndonëse atmosfera në ekip nuk është nga më të mirat. Vetëm një ditë më parë u lajmërua vetëvrasja e ish-të dashurës së mbrojtësit Zherom Boateng, Kasia Lenhartit, diçka që shkaktoi një tronditje të vërtetë. Jo vetëm kaq, por Tomas Myler nuk do të luajë sepse doli dy herë pozitiv me Kovid 19.

Boatengu mori leje nga trajneri Hansi Flik për t’u kthyer në Gjermani, ndërsa raportet e tij me Kasian ishin shkatërruar, dhe dyshohet se vetëvrasja është shkaktuar jo pak nga ndarja e tyre. Gjithsesi, shpresohet që një ekip me përvojë si Bajerni ta mbledhë veten për të qenë gati për finalen. Trajneri Hansi Flik kërkon pikërisht këtë.

“Zherom Boatengu nuk do të jetë në finale, – tha ai, – mori leje për arsye personale dhe unë nuk dua të komentoj për këtë temë. Sa për finalen, Tigresi do të kërkojë që ne të japim maksimumin nëse duam që të fitojmë. Pres një ndeshje të vështirë. Nuk dua të zbuloj formacionin, do të flas me lojtarët për të parë se kush është më mirë fizikisht”.

Bavarezët patën probleme për të mbërritur në Katar, pasi u vonuan rreth 8 orë në aeroportin e Berlinit përpara udhëtimit, ndërsa në Gjermani u shkaktua një skandal I vërtetë. Gjithsesi, Fliku do të ketë në fushë lojtarët kryesorë si Levandovski, Kimih apo kapitenin Nojer, dhe padyshim që Bajerni është favorit për trofeun.

Sfidanti.al