Myrto Uzuni në sprintin për Këpucën e Artë, por edhe për të bindur … Rejën!

Ambicia e tij është vërtet shumë e madhe. Myrto Uzuni nuk i ka vënë kufij synimeve të tij, ndërsa e di se e ardhmja e tij vendoset sot. Sulmuesi betaras realizoi golin e 5-të në vitin 2021 për Superligën e Hungarisë duke iu afruar gjithnjë e më shumë kreut të renditjes së shënuesve më të mirë. Me 7 rrjeta në total, ai është vetëm 4 larg sulmuesit Janosh Han, dhe vetëm 1 gol larg vendit të dytë.

Duke pasur parasysh ritmin me të cilin po gjen rrugën drejt portës këtë vit, nuk do të ishte habi që ai ta fitonte Këpucën e Artë. Kjo do të thoshte të barazohej, të paktën në këtë statistikë me yjet e mëdhenj të dikurshëm të futbollit hungarez si Pushkash, Shloser, Zengeler, Sharoshi, Deak, Hidegkuti apo Albert. Shqiptari nuk e fsheh kënaqësinë që ndjen.

“Patjetër që jam krenar për veten, – tha Uzuni pas ndeshjes, unë po punoj fort pikërisht për të arritur deri këtu. Nuk ishte një fitore e lehtë, pasi u desh të luftonim si skuadër për t’ia dalë. Mentaliteti ynë është që të fitojmë çdo ndeshje, ndonëse ka ndodhur që edhe kemi barazuar. Klubi ka besuar gjithnjë tek unë dhe unë dua që ta falenderoj duke luftuar deri në minutën e fundit”.

Forma e janarit dhe shkurtit tregon se Uzuni është përshtatur tashmë plotësisht në elitën e Hungarisë, dhe padyshim që do të përpiqet të ketë një rinovim të kontratës. Rroga, që thuhet se është 300 000 euro në sezon, nuk pasqyron rëndësinë e tij në ekip, mjafton të krahasosh me pagën prej 1.4 milionë eurosh në vit që merr trajneri Rebrov, ndërsa tendenca duhej të ishte e kundërt. Të gjitha shanset janë që ai ta fitojë një rrogë ndjeshëm më të madhe, aq më tepër që Ferencvaroshi fitoi gati 20 milionë euro në Ligën e Kampionëve, aq sa buxheti i tij vjetor.

Uzuni e tregoi gjithë ambicien e tij jo vetëm me golin që shënoi në fushën e Juventusit në Champions, por edhe me imitimin e festimit të idhullit të tij, Kristiano Ronaldos. Përveç 7 golave, beratasi ka qenë edhe lojtar-skuadre duke shërbyer 5 asistë, dhe të gjitha këto në 16 ndeshje të luajtura. Falë edhe ndihmës së 25-vjeçarit, Ferencvaroshi 49 pikë në krye ndaj 33 të Akademisë Pushkash dhe Fehervarit, pra shumë pranë mbrojtjes së titullit kampion.

Gjithsesi, për Uzunin mbetet edhe një pengesë për t’u kapërcyer. Roli në kombëtaren shqiptar nuk ka qenë tepër i madh, ndoshta edhe për shkak të skemave të trajnerit Edi Reja, dhe sulmuesi e ka shprehur pakënaqësinë e tij. Shpresohet që Uzuni të bindë Rejën, ose që italiani të përshtasë skemat, pasi do të ishte mëkat që një sulmues i tillë të luante me pikatore.

Sfidanti.al