Në një klub si Reali kërkohet maksimumi, por një trofe i tillë do të ishte sërish diçka e madhe. Presidenti Florentino Perez e ka kaluar nëpër mendje mundësinë e shkarkimit të Zinedin Zidanit, ose të paktën e mosvazhdimit me të për sezonin e ardhshëm, dhe duket se ka dalë në një përfundim. Pavarësisht sesi do të shkojnë punët në kampionat, Zidani do të konfirmohej nëse do të fitonte Championsin, diçka që e ka bërë tri herë në periudhën 2016-2018. Vetë Perez nuk do ta kishte aspak të lehtë të merrte një vendim kundër Zizusë, pasi e vlerëson jashtë mase dhe ka një raport të shkëlqyer me të. Si lojtar, si drejtor teknik dhe si trajner kurrë nuk ka qenë kundër tij, në asnjë moment, duke e quajtur si “njeriu për të cilin fjala “e pamundur” nuk ekziston”. Gjithsesi, ky sezon ka qenë i vështirë, pasi Zidani është trajneri me përqindjen më të ulët të fitoreve tek Reali në shekullin e 21-të, me përjashtim të Lopetegit, duke fituar vetëm 54 për qind të ndeshjeve. Për më tepër, ka probleme në drejtimin e ekipit duke i dhënë përparësi veteranëve, e duke mërzitur të rinjtë.
Sfidanti.al