Prej muajsh nuk po gjente dot ekuilibrin dhe shpesh u bë pyetja mos kishte bërë zgjedhjen e gabuar. Vedat Muriqi ishte kthyer në një lojtar të “dorës së tretë” tek Lacio, krejt ndryshe nga shënuesi i shquar në Turqi me Fenerbahçen aq sa po mendohej për një kthim në Superligën turke. Tashmë, gjithçka ka ndryshuar! Mjaftuan 4-5 ditë që sulmuesi i Kosovës të ndryshojë gjendjen e tij dhe mendimin e të tjerëve për të.
Pasi shënoi në Kupën e Italisë një gol në përfundim të panevojshëm (edhe pse shumë të bukur), Muriqi u përsërit në Serinë A dhe sërish në Bergamo ndaj Atalantës. Skuadra e Berat Gjimshitit është kthyer në “viktimën” e tij të preferuar në Itali. Sulmuesi 27-vjeçar shënoi për 3-1, ndërsa sapo kishte hyrë në fushën e lojës. Më herët, vendasit kishin ngushtuar diferencën në 1-2 dhe ishin bërë të rrezikshëm. Muriqi tashmë është më i stabilizuar, edhe pse vazhdon të mbetet rezervë tek Lacio, veçse një rezervë e rëndësishme që trajneri Inzagi e hedh me besim në fushë pasi mund të bëjë diferencën.
Sfidanti.al