Superliga, Seferi i jep fitoren Tiranës e Shehit, Mazrekaj vendos në Laç!

Të paktën e nisi me këmbën e mbarë. Nuk e ka idenë as vetë Orges Shehi sesi do të vazhdojë aventura e tij tek Tirana, veçse për momentin do t’i gëzohet kësaj fitoreje të vogël në Fier. Edhe pse plotësisht e merituar, madje që duhej të kishte qenë më e thellë, nuk mund të jetë barometër për ecurinë e sezonit të ekipit të drejtuar nga ish-portieri i shquar.

Edhe pse pati epërsi dhe krijoi më shumë raste, sërish skuadra kampione mbeti e bllokuar për një kohë të gjatë dhe tri pikët ia dha goli i Taulant Seferit, 14 minuta para fundit. Ishte kjo rrjeta e parë e sulmuesit të kombëtares, në ndeshjen e tretë të plotë titullar. Tirana ka 23 pikë pas 17 ndeshjeve, duke qenë ende e shkëputur nga zona europiane, ndërsa Apolonia mbeti në 13 duke qenë si edhe më parë e rrezikuar për mbijetesën në Superligë.

Në Laç, ndërkaq, përcaktues u bë goli i Mentor Mazrekajt në sfidën e vendasve me Teutën. Shqiptari i Kosovës, i sjellë në ekip nga trajneri Shpëtim Duro, realizoi në pjesën e parë, ndërsa durrsakët pësuan humbjen e dytë të sezonit. Kjo do të thotë se kurbinasit u barazuan me Teutën në kuotën e 27 pikëve, pranë vendit të dytë.

Sfidanti.al