Nuk janë thjesht sinjale që trajneri ia jep lojtarit shqiptar, por sidomos nevojë për të në një sezon kaq të ngarkuar. Elseid Hysaj ishte titullar për Napolin dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Specias. Ashtu si ai, titullar dhe 90 minuta në fushë edhe mbrojtësi tjetër i kombëtares, Ardian Ismajli, që gjithnjë e më shumë po përshtatet me futbollin italian.
Napoli nderoi stadiumin me emrin e Maradonës, por po ashtu luajti për trajnerin Xhenaro Gatuzo, që jepej i rrezikuar pas humbjes 1-3 në fushën e Veronës në Serinë A. Nuk ishte një deklaratë e thjeshtë dashurie e lojtarëve për trajnerin e tyre, por e veçantë sepse 4 gola u shënuan në vetëm 35 minuta, nga e 5-ta në të 40-ën. Kulibali, Lozano, Politano dhe Eljif ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa Specia u përgjigj me rrjetat e vonshme të Giasit dhe Akamporës thjesht për të ngushtuar diferencën nga 0-4 në 2-4.
Kualifikimi do të thotë përballje në gjysmëfinale me Atalantën, pra Hysaj e Rrahmani (këtë herë në stol) do të kenë një tjetër sfidë mbrojtësish, me Berat Gjimshitin “bergamask”.
Vetë Gatuzo ishte tepër i nxehur pas ndeshjes, duke i tërhequr veshin gazetarëve që e pyesin vazhdimisht për dorëheqjen ose shkarkimin. “Unë jam profesionist, nuk kam nevojë për besimin e askujt (pra, as të presidentit), – tha ai, – përse ma bëni gjithnjë këtë pyetje, nëse do të dorëhiqem? Nuk do të dorëhiqem, punoj mirë dhe kam arritur 4 gjysmëfinale në Kupë, por këtu në Napoli mendojnë se skuadra nuk bën asgjë. Nuk është kështu. Nëse presidenti më largon, dakord. Por, edhe po më kapi 2-minutëshi, mund të shkoj të punoj trajner në Kuvajt”.
Sfidanti.al