Klop: Liverpuli duhej të tregonte nëse ishte ai që duhej të ishte!

Kjo ishte deklarata e parë që i doli nga goja pas fitores 3-1 në fushën e Totenhemit. Jurgen Klopi ishte padyshim i lumtur dhe falenderoi lojtarët e tij, por edhe fatin që ekipi u kthye tek sukseset pas një muaji janar tepër të vështirë. “Jam i mrekulluar, – tha ai, – ndeshje e madhe, intenstitet i jashtëzakonshëm siç pritej. Shënuan lojtarët e duhur, në momentet e duhura. Këtë herë nuk ishte puna se në çfarë forme ishim, sesi luajtëm, por për të treguar se cilët jemi, apo nëse jemi ata që duhet të jemi. Sidomos pjesa e parë ishte e gjitha e jona, një betejë e madhe”.

Klopi i kthehet ndeshjes së humbur ndaj Bërnlit, dhe thotë se “gjithçka do të kishte qenë ndryshe pasi ne humbëm raste të jashtëzakonshme, por këtë herë ishim aq të fortë sa që e rrëzuam një mur përtokë duke e goditur me kokë”. “Nuk ishte e lehtë të kalohej momenti i vështirë, – vazhdoi trajneri gjerman, – por, ne e dinim se ishte e mundur. Thjesht duhej të kishim besim tek vetja, dhe të bënim durim ndaj një skuadre shumë të fortë kundërsulmi që të rrezikon vazhdimisht”. Liverpuli ka 37 pikë në renditjen e Premier Ligës, 4 pikë më pak se kryesuesi Mançester Siti.

Sfidanti.al