Si burrë natyrisht nuk mund të mburret se nuk ka tradhëtuar. Janë shumë që e bëjnë dhe jo vetëm Diego Armando Maradona. Duke e mbyllur këtë kapitull, në “kapitujt” e tjerë ai nuk i ka braktisur kurrë ata që e kanë dashur. Flasim për futboll, pasi është pikërisht në “gjënë më të rëndësishme nga të parëndësishmet” që Maradona është “mbreti”. Një mbret i zgjedhur jo duke rrëmbyer fronin e duke bërë luftë me rivalët, por duke rrëmbyer zemrat e tifozëve.
Legjenda e futbollit botëror, njeriu që u bë i tillë duke thënë gjithnjë të vërtetën siç e ka menduar, e lidhi fjalën “tradhëti” me Gonzalo Higuainin, ndonëse nuk e përmendi me emër sulmuesin e Juventusit, në intervistën e dhënë në Teatrin “San Karlo” të Napolit. “Me fanelën e kaltër kam ëndërruar dhe kam ndjekur zemrën, duke mos pranuar ofertën e Barcelonës që më dyfishonte rrogën, – tha “El Pibe de Oro”, – kjo është arsyeja që në Napoli ndihem si në shtëpinë time, sepse unë nuk tradhëtoj”.
Pak fjalë edhe për presidentin napolitan, De Laurentis, që ishte në rreshtin e parë në sallë, në krah të gruas Zhaklinë. “Ai dëshiron të fitojë, ashtu si edhe ne, por do të na duhen nja dy tituj kampion për t’u bërë më të mëdhenj”. Për fat të keq, në Napoli titujt nuk vijnë pa Maradonën.
Intervistuesi ia prishi pak mbrëmjen, ndonëse pyetjet ishin legjitime. Në sfond dolën fotografitë e Blaterit dhe Platinisë. Maradona nuk i kurseu sërish armiqtë: “Jo, jo, nuk ia vlen të flas për këta, pasi janë hajdutë që rrëmbyen gjithçka”.
Një batutë edhe për Papa Françeskun, argjentinas si ai, ndonëse në punën e Kishës, ashtu si edhe në ato të futbollit, njeriu i përket gjithë botës. “E vlerësoj shumë pasi më ka afruar sërish me Kishën, – tha Diego, – veçse, kur e takova, i thashë se në Vatikan nuk ka nevojë të ketë një bankë”.
Sfidanti.al