Klopi ka gati “artilerinë e rëndë” për duelin e sotëm në Kupë!

Do të luhet akti numër 2, veçse këtë herë në “Old Traford”. Pas barazimit pa gola në “Anfild” për kampionatin, Liverpuli do t’i kthejë vizitën Mançester Junajtidit në turin e katërt të Kupës së Anglisë (ora 18:00). Një sfidë që këtë herë duhet të ketë favoritë vendasit, që janë mbi Liverpulin në renditjen e Premier Ligë, ndërsa të kuqtë kanë 4 ndeshje që nuk shënojnë.

Trajneri Jurgen Klop ka ndërmend të mos rrezikojë, por që të luajë me lojtarët më të mirë të mundshëm në një stadium ku nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje si trajner, ndonëse ka luajtur 5 herë. Në fushë do të jetë Mohamed Salah që gjithashtu ka një llogari të hapur sepse nuk ka shënuar kurrë në “Old Traford” në 2 ndeshje në të cilat ka qenë në fushë. “Ne do të jemi 100 për qind gati, – thotë Klopi, – mos u shqetësoni, se nuk e humbim besimin tek vetja. Lojtarët nuk mund të ndryshojnë brenda natës, ata janë sërish të shkëlqyer, por duhet të përsosim mekanizmat e duhura”.

Sfidanti.al