Nuk është nga ata të krishterë që të kthejnë faqen tjetër nëse i godet në njërën prej tyre. Antonio Konte është një luftëtar dhe ndodh që ky shpirt luftarak ta dëmtojë, ta bëjë të dalë nga vetja e të ndëshkohet. Kështu i ngjau në barazimin 0-0 të Interit në fushën e Udinezes në Serinë A, barazim që e la ekipin e Kontes dy pikë prapa Milanit. Tekniku ishte nervozuar dhe i kërkoi llogari gjyqtarit Mareska për mungesën e kartonit të kuq për lojtarin e Udinezes, Arslan, dhe pastaj për minutat e pakta shtesë në pjesën e dytë. Konte ndjente se 4 minuta ishin pak sepse loja kishte pasur shumë ndërprerje.
Gjithsesi, gjyqtari Mareska i dha karton të kuq trajnerit interist, i cili i kujtoi dëmtimin që i bëri po ky arbitër Interit në ndeshjen ndaj Parmës duke mos dhënë penallti, ndonëse ishte njeriu kryesor i VAR-it në atë ndeshje. “Gjithnjë ti, të lumtë, je gjithnjë ti, – i tha Konte Mareskës, – kjo edhe kur je tek VAR-i” . Dëshmitarë okularë, ndërkaq tregojnë se gjyqtari Mareska bëri deklarata të tilla që “duhet të dish të biesh dakord edhe kur nuk fiton”, ndaj ndihmësit të Kontes Stelinit dhe kapitenit Handanoviç. Siç shkruan “La Gazeta delo Sport” këto fjalë ishin baraz me provokim për Stelinin dhe Handanoviçin.
Sfidanti.al