Ka qenë shumë më e lehtë në kohën e Alfredo Di Stefanos, Ferenc Pushkashit, Huanitos, Santilianës, Butragenjos, Hierros apo Raul Gonzalesit. Tek Reali i Madridit kanë “banuar” shumë legjenda, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë me ndikim kaq kontradiktor sa Sergio Ramos. Një udhëheqës me plot kuptimin e fjalës, një njeri që sapo erdhi në “Bernabeu” ndaj Sevilja në moshën 19-vjeçare deklaroi se “jam këtu që të bëhem kapiten, siç ka qenë Hierro”.
Ai u bë kapiten dhe po luan prej 15-16 vjetësh me “merengesit” duke fituar 4 Champions, 5 La Liga, si dhe 1 Kupë Bote e 2 Europianë me Spanjën. Rrallë ka pasur futbolli një lider të tillë, por raporti i tij me presidentin Perez nuk ka qenë kurrë idilik, ndërsa së fundmi, ironikisht është përmirësuar, por është pakësuar mundësia e vazhdimësisë! Përse? Ramosi kërkon dy vjet kontratë me rrogën që ka prej 12 milionë eurosh në sezon, ndërsa klubi i ofron një, ose edhe dy nëse pranon një ulje 10 për qind, madje duke bindur skuadrën që të pranojë edhe ajo një ulje 10 për qind. Kohë Kovidi!
Ramosi pranon edhe që rrogat e tij të shtyhen për shkak të kovidit dhe të paguhen më pas, pa asnjë interes. Po ashtu, thuhet se ai ndihet i ofenduar që klubi i ka rritur rrogën Karvahalit nga 4.5 në 8 milionë euro në vit dhe Toni Krosit nga 7 në 8.5 milionë. Përse për të nuk ndodh e njëjta gjë? Reali ndërkaq po sheh për alternativat që mund të jenë Pau Torres (Vijarreal, 50 milionë euro kartoni) dhe David Alaba i Bajernit. Perez e di se po rrezikon shumë sepse Ramosi është i vetmi udhëheqës që i ka mbetur në skuadrën e vjetëruar dhe që nuk mund të rinovohet shpejt, që pas largimit të Kristiano Ronaldos.
Sfidanti.al