Ramos-Hazar, telashet e ndryshme të Realit të Zinedin Zidanit!

Kapiteni mori edhe një goditje tjetër dhe do të duhet të rrijë pushim disa ditë. Sergio Ramos po i tregon vitet e moshës, ndërsa një lëndim i pësuar në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Bilbaos do ta detyrojë të mos luajë të paktën deri në 23 janar. Nuk është se do të humbasë ndonjë gjë të madhe, vetëm ndeshjen e Kupës ndaj modestëve të Alkojanos (ku nuk do të luante edhe nëse nuk do të kishte dëmtim), por gjendja e tij fizike shqetëson. Gjatë këtij sezoni qendërmbrojtësi ka pësuar edhe dy dëmtime të tjera që i kanë kushtuar 28 ditë pushim dhe plot 8 ndeshje të humbura. Kjo ka ndikuar në rezultatet e skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan. Ndoshta, këto probleme ka parasysh presidenti Perez që nuk ia ka rinovuar ende kontratën. Problemi tjetër i Realit quhet Eden Hazar. Edhe ndaj Bilbaos, ylli belg luajti dobët duke shtuar alarmin, ndonëse Zidan tha se “duhet të kemi durim me Hazarin sepse ka mungesë besimi në vetvete”. Besim nuk ka aspak ish-madrileni Mijatoviç, sot analist futbolli. “Hazar nuk është lojtar për Realin”, – theksoi ish-sulmuesi malazez.

Sfidanti.al