Duhej parë reagimi pas humbjes me Juventusin, por ky ekip e ka “lëkurën të regjur” dhe karakterin me sa duket të fortë. Një Milan që fiton 2-0 përballë një Torinoje me trajner, ish-teknikun kuqezi Xhampaolo, që e meriton dhe që ka sërish në ekip Zllatan Ibrahimoviçin. Leao shënoi shpejt në 25’, duke konkretizuar epërsinë e vendasve, ndërsa Kesi ktheu në gol penalltinë e siguruar me VAR në 36’. Pas pushimit, pati raste për të dyja skuadrat, si dhe një penallti dhënë nga arbitri për Torinon, por hequr nga VAR-i. Në 84’, Pioli hodhi në fushë Zllatan Ibrahimoviçin që u kthye nga dëmtimi pas një mungese relativisht të gjatë që nga data 22 nëntor.
“Pas Juventusit e prisja këtë reagim, – tha Pioli, – gjithsesi, nuk dua që të shikojmë renditjen, por ndeshjet njërën pas tjetrës. Jemi të rinj, por gjithashtu jemi të ndërgjegjshëm për vlerat që kemi. E rëndësishme që Ibra u shërua”. Milani ka 40 pikë në 17 javë, ndaj 36 të Interit në 16 ndeshje. Kryesuesit do të jenë para televizorit sot në 12:30 për të parë sfidën Roma-Inter, atë mes dy ndjekësve më të afërt.
Sfidanti.al