Fitore e thellë e Barçës, por lajmi i madh është “dashuria” Mesi-Grizman!

Ndoshta është tepër e guximshme ta konsiderosh një sukses që e rikthen në garë për titullin, por padyshim ishte një pasdite nga më të rëndësishmet e dy sezoneve të fundit për Barcelonën. Jo vetëm fitorja 4-0 në fushën e Granadës, por sidomos e spikatur ishte harmonia mes Lionel Mesit dhe Antuan Grizmanit. Të shpallur prej kohësh si “antipatikë” për njëri-tjetrin për të mos thënë “armiq”, argjentinasi dhe spanjolli treguan një bashkëpunim të një niveli që nuk ishte parë te katalanasit që nga koha e treshes MSN (Mesi-Suarez-Nejmar).

Dy gola për Leos, dy gola të Antuanit, dhe një asist i këtij të fundit. Pak ditë më parë, në fitoren 3-2 po për La Ligën në Bilbao, Mesi shënoi dy gola dhe Grizman shërbeu një tjetër asist për kapitenin e tij. Mediat katalanase fluturuan në qiell nga kënaqësia dhe duket se historitë e vjetra “u varrosën”. Sa për kapitenin, ai po kthehet në nivelet e dikurshme, pasi ka 11 gola në 17 ndeshje në La Liga këtë sezon dhe 14 gola në 21 ndeshje në tërësi gjatë vitit sportiv.

“Ishte një javë shumë e rëndësishme, – tha trajneri Ronald Kuman, – patëm 3 ndeshje jashtë dhe morën 9 pikë. Ishim shumë superiorë (ndaj Granadës), krijuam raste, shënuam gola, patëm zotërim topi dhe nuk u rrezikuam. Për ne është shumë i rëndësishëm Leo për lojën e tij, për rastet që krijon, për efektivitetin që ka”. Kuman u kënaq që nuk u pësua gol, që Ymtiti është kthyer si “shkëmb” dhe që De Jong po përshtatet me rolin e tij më të avancuar në fushë.

Sfidanti.al