Covidi s’është vetëm vrasës, por  shpëton nderin e stadiumit “Air Albania”

Lajmi i fundit për stadiumin “Air Albania” është më i bujshëm për nga stili !  Stadiumi “Air Albania” do të shndërrohet në një qëndër të madhe vaksinimi! Në një qytet  ku  hapësira sa vjen e bëhet më e vogël, stadiumi mbetet  vendi i bekuar për vaksinimin dhe   distancimin social dhe pse ka ndryshuar kryekëput destinacionin. Pale kur kujton se krerët e partisë, së “topit të shfryrë”  kishin kohë që i  binim tam-tameve se në këtë stadium po pritet të bëhet një finale e madhe europiane, e cila me kalimin e ditëve po tretet e po bëhet një “finale e vogël”, se si quhet.. Kupa e Konferencave.

Një stadium i ri që lindi me fushë të vjetër, një ndër rastet më unikalë në kohën e hovshme të ngritjes së stadiumeve,  ka shansin e madh të lajë “mëkatet”. Dhe   jo vetëm me futbollin, por edhe me sëmundjen e kohës..Pandeminë! Cili na qënka ky borxh me virusin ? Ishte i vetmi stadium në Europë  ku flitej për mungesën e tifozëve, për praninë e gropave në fushë, për  bukurinë e tij ballkanike, gati  sa nuk  thonim se ky impiant është kaq ndryshe nga të tjerët, sa  Covidi  është i tepërt në radhën e viruseve, ndaj edhe nuk bëhen tampone për futbollistët…

Ky vendimi qeveritar për ta bërë stadiumin “Air Albania” qëndër vaksinimi për popullatën e kryeqytetit, paska kënaqur edhe vetë të ..pakënaqurit e FSHF-së. Tamam-tamam..liderin e të pakënaqurve,  presidentin Duka.  Ata që nuk gjejnë rast pa u qarë  se skandalin e fushës do ta mbulojnë me paratë e tyre, pa ndihmën e Qeverisë, këtë radhë kanë bërë një “rofeshatë” të pabukur. Reagimi i presidentit Duka në emisonin “Paso” në  Radio –Top Chanel , duket si një përkëdheli e radhës  në serialin e pozave :

“ Stadiumi “Air Albania” qëndër vaksinimi ? Jemi gati të japim edhe shtëpitë jo vetëm stadiumin..” Çfarë bujarie, edhe pse ishte e kapshme doza e ironisë që u tret  në eter. Futbolli që nuk di se ku e ka shtëpinë e vet , qënka gati të hapë dyert e shtëpive!  Me hir apo me pahir? Kjo kuptohet kur ndjek se thumbi i intervistës  nuk ngjitet lart në majë të Shetit, por zbret tek ministrja e Shëndetsisë:” Shyqyr që jetojmë në kohën e Manastirliut, që do të na bëjë vaksinën..” Sikur ta njihte pak futbollin kjo zonja Manastirliu, do ta kuptonte se futbolli e ka “gjetur” vaksinën 20 vite më parë me “Piperon” e tij.  Një vaksinë ndryshe: që nuk e lufton virusin e lojës , por e mban gjallë!

Sfidanti