Batuta e Klopit: Junajtid në 2 vjet ka më shumë penallti se unë në 5 vjet e gjysmë!

Akuza ishte e rëndë, dhe jo vetëm për atë që e mendon si penallti të padhënë ndaj Liverpulit të tij. Jurgen Klopi la të nënkuptohej se Mançester Junajtidi ka pasur një trajtim më të favorshëm nga gjyqtarët dhe nga VAR-i për dhënien e 11-metërshave kohët e fundit. Më thonë se Mançester Junajtidi në 2 vjet ka marrë më shumë penallti sesa ne në 5 vjet e gjysmë, – tha trajneri i të kuqve pas humbjes në Sauthempton, – unë e pashë qartë rastin e Manesë, ishte penallti. Kur gjyqtari nuk e dha u ktheva nga gjyqtari i katërt dhe e pieta nëse VAR-i do ta shqyrtonte, dhe ai më tha se e ka shqyrtuar dhe se nuk është penallti. Si mundën ta shikonin në kënde të ndryshëm në kaq pak kohë?”

Klopi kritikoi ata që mendojnë se Mane rrëzohet lehtë, duke thënë se “nëse ky djalë rrëzohet lehtë, ne do të kishim pasur një penallti në këtë ndeshje (Sauthempton) dhe një penallti të pastër në ndeshjen e kaluar”, – deklaroi ai. Gjithsesi, trajneri i Liverpulit pohoi se gjëja kryesore ishte loja jo e mirë e ekipit të tij. “Ne do t’i pranojmë vendimet e gjyqtarëve, nuk mund t’i ndryshojmë, – tha ai, – ne duhet të ndryshojmë lojën tonë”.

Sfidanti.al