Që Dele Ali mund të shkonte tek Paris SG ky ishte një sekret që dihej nga të gjithë, edhe pse një lëvizje e tillë ende nuk ka ndodhur. Pritshmëria është që të ngjajë pikërisht tani, në janar, veçse nga Franca vijnë njoftime se klubi kryeqytetas kërkon edhe portierin Hugo Joris. Ardhja e trajnerit të ri, Maurisio Poçetino në vend të Tomas Tuhelit, mund ta përshpejtojë këtë lëvizje të dyfishtë përderisa argjentinasi ka qenë teknik i të dyve tek Totenhemi. Edhe pse klubi londinez deklaron se nuk bëhet fjalë që dy lojtarët të ikin në janar, sërish spekullimet vazhdojnë dhe padyshim që Zhoze Murinjo nuk është i qetë. Për ta bërë portugezin edhe më shumë me “miza në kokë” “mendon” Reali i Madridit që thuhet se kërkon koreanojugorin Son. Mediat shkruajnë se trajneri Zinedin Zidan personalisht ka ndërhyrë që ta ketë sulmuesin e Spërsave, që ka krijuar një dyshe të shkëlqyer me Harri Kejnin. Një ditë më parë, në Angli shkruhej se Kejni kërkohet nga Mançester Siti. Vërtet kohë shqetësimesh të mëdha për Murinjon që më parë ishte mësuar të merrte lojtarë, jo t’ia merrnin.
Sfidanti.al