Lebroni nuk e heq vesin e “tripëll dabëllit” as në moshën 36-vjeçare

Shumë pak yje të NBA-së mund ta kenë bërë një gjë të tillë në kohë më të vonshme të jetës. Lebron Xhejms jo më kot është kandidat për t’i zënë Majkëll Xhordanit vendin si basketbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, dhe “Mbreti” i sotëm ndihmoi Lejkërsat për të mundur San Antonion me një tjetër paraqitje madhështore. Ai realizoi një “tripëll dabëll” në fushën e Spërsave me 26 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë, plus 2 vjedhje topi. Edhe pse gaboi më shumë se zakonisht në gjuajtjet për dy pikë, Xhejmsi sërish u paraqit shumë mirë përballë një San Antonioje që luajti një basketboll të vërtetë skuadre.

Ndeshja përfundoi 109-103 për Lejkërsat, veçse kampionët e patën të vështirë. Entoni Dejvis shtoi 34 pikë dhe 11 topa në tabela për ekipin nga Kalifornia, plus pati 5 asistë e 2 vjedhje topi. Për vendasit shkëlqeu debutuesi Keldon Xhonson me 26 pikë e 10 topa në tabela, duke pasur mbi 20 pikë në 4 ndeshje radhazi. Vetëm Tim Dankën ka pasur më shumë si debutues. “Ai është një i ri shumë i talentuar dhe do të ketë një karrierë të madhe, vetëm kaq mund të them”, – ishin fjalët e trajnerit të Spërsave, Greg Popoviç. Lejkërsat kanë 4 fitore e 2 humbje, në vend të tretë në Perëndim, ndërsa San Antonio ka 2 fitore e 3 humbje po në Perëndim.

Sfidanti.al