Qenka vërtet sezoni i Vllaznisë, barazim me autoritet ndaj Tiranës!

Nuk dihet sesi do të shkojë Superliga sezonin e ardhshëm dhe cilët mund të jenë planet e atyre që shpesh kanë vendosur në Shqipëri. Pra, nuk dihet nëse Vllaznia do të lejohet të garojë fort dhe e papenguar deri në fund të kampionatit, apo do t’i vendosen stërkëmbësha si Flamurtarit në 2010-2011, por deri tani gjithçka po shkon “fjollë”.

Ndeshja e fortë në fushën e Tiranës, në stadiumin “Selman Stërmasi” përfundoi në barazim 1-1, që do të thotë një hap më tej drejt objektivit titull. Dueli i vlefshëm për javën e 12-të të Superligës u mbyll në barazpeshë, ndërsa vendasit shënuan të parët e pastaj u përgjigjën miqtë.

Derbi i Shqipërisë u zhvillua i ekuilibruar, me raste shënimi për të dyja skuadrat. Tirana kaloi e para në epërsi me anë të Ernest Muçit, që ishte edhe lojtari më i mirë në fushë, duke shënuar e duke krijuar edhe mundësi të tjera.

Shkodranët, që janë kryesues të Superligës, arritën të barazonin 11 minuta para fundit me atë të Imerit. Tirana mbeti me 10 lojtarë që nga minuta e 74-ët pasi argjentinasi Torasa u përjashtua nga fusha me karton të kuq.

Gola të shumtë u shënuan në të katër ndeshjet e deritanishme, ku spikat sidomos ajo e Korçës mes Skënderbeut dhe Bylisit, që u mbyll 4-3 për vendasit. Laçi, ndërkaq, mundi Partizanin 3-2.

Në 16:45 do të zhvillohet sfida e fundit e kësaj jave. Kukësi pret Teutën në “Elbasan Arena”, dhe skuadra kuksiane do të luajë për herë të parë me trajner Rrahman Hallaçin, pas dorëheqjes së Skënder Gegës.

Rezultatet: Tirana-Vllaznia 1-1, Laçi-Partizani 3-2, Skënderbeu-Bylis 4-3, Apolonia-Kastrioti 2-1. Renditja: Vllaznia 26 pikë, Partizani 19, Laçi, Teuta e Kukësi nga 17, Tirana e Kastrioti nga 16, Bylis 11, Skënderbeu 9, Apolonia 8.

Sfidanti.al