Në një kampionat si Superliga, ku sheshimi i vlerave shitet si modë, ku më shumë se gjysma e 10 ekipeve nuk kanë droje të thonë se pretendojnë kampionatin, ajo që po ndodh me Vllazninë është ngushëllimi më i bukur! Vllaznia është e bukur për t’u parë në lojë, ndërsa trajneri Bërdariç qënka një aventurier i zellshëm i lojës sulmuese. Dhe ku dhe kur ndodh kjo ? Kur shumica e trajnerëve tanë kanë shfaqur një “pandemi profesionale” ..frikën nga humbja! Refuzimi i lojës sulmuese është një realitet i hidhur , i kushtëzuar edhe nga padurimi i presidentëve, ndaj dhe shfaqja e Vllaznisë është bërë gjahu i të gjithëve.
Javët kalojnë dhe dilema është shndërruar në trilemë. Në fillim pyesnim me dyshim: sa javë do t’i mbajnë gjunjët Vllaznisë në krey të klasifikimit? Tani pyetja është modifikuar gjenetikisht : kjo Vllazni a do të mundet të jetë e bukur deri në fund..? Një pyetje luksi kur mendon se në luftën tonë të vogël nga spektakli dhe të madhe për nga zhurma , s’e fiton dot bukuria, ngaqë pasqyra e”jurisë” ka vite që nuk tregon të vërtetën e madhe..
Sido që të jetë predestinuar fati i Vllaznisë, ajo që po ndodh është si një përrallë edhe për vetë shkodranët!Pale kur kujton, 2 vite kohë më parë, akoma i kujtojmë skenat prekëse, tifozët shkodranë qanin me lot dhe nuk besonin se si ekipi i tyre preku tokën në “fundin e detit”, duke kapatapultuar një ..botë më poshtë! Edhe pse në Shkodër thonë se ju duket si një ëndërr e keqe, ajo që po ndodh sot ka “lidhje gjaku” me atë që përjetuan ..dje!
Sidomos në një tokë futbolli ku ferri dhe parajsa qëndrojnë shumë afër. Kujtoni Partizanin kur ra apo e rrëzuan kokëposhtë dhe si me magji u ngrit deri sa kapi majën. Rasti më imponues Tirana, që mori vrull nga poshtë, kur “puthi” tokën e panjohur të një kategorie inferiore për t’u ngjitur në altarin e kampionit..kur nuk ishin shuajtur akoma kujtimet e këqia! Nëse do ta besonim moralin e këtij “ligji”, Vllaznia është nisur për një ..porosi të çmuar. Mund te thuhet : Porosi nga brezat shkodranë, që edhe aty ku janë, presin që “prona” t’i kthehet të zotit…
Sfidanti.al