Madhështori Gerd nuk ka mundësi sot ta shikojë atë që po bën pasardhësi i tij. Nuk është gjerman Robert Levandovski, por padyshim që ka fituar simpatinë dhe admirimin e çdo tifozi të vendit të madh europian për arritjet e tij, dhe ndoshta ka si synim dhe si mundësi për t’ia dalë, të tejkalojë rekordin e madh të Mylerit, atë të 365 golave të shënuar në karrierë në Bundesligë. Polaku 32-vjeçar erdhi në elitën gjermane në moshën 22-vjeçare në 2010, duke i shpëtuar “për fije” kalimit tek Blekbërn Roversi, dhe kjo vetëm për shkak të vullkanit që shpërtheu në Islandë dhe që anuloi fluturimet. Pas 10 vjetësh e ca, ai ka sot 253 gola të shënuar (bashkë me 2 ndaj Leverkusenit) në 333 ndeshje.
Myleri pati 14 sezone në Bundesligë duke shënuar 365 gola në 427 ndeshje, me mesataren mbi 0.85 gola për ndeshje. Levandovski është në sezonin e 11-të, dhe ka një mesatare prej 0.76 golash për ndeshje, të dytën më të mirën mes shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në elitën e futbollit gjerman. Madje, nëse merr vetëm vitet me Bajernin, që janë 6 sezone e gjysmë afërsisht, polaku ka një mesatare edhe më të lartë sesa Myleri, me 0.887 gola për ndeshje, sepse ka realizuar 179 herë në 202 duele.
Nëse ai do të vazhdojë me këtë ritëm, atij do t’i duhen afërsisht 80-100 ndeshje për të mbërritur rekordin historik të “Bomberit të Kombit”, pra shifrën 365, që do të thotë se mund t’ia dalë gjatë sezonit 2023-2024 kur te jetë afërsisht 35-36 vjeç. Për t’ia dalë, atë do ta ndihmojë gruaja e tij, Ana, një ish-kampione e botës në karate, dhe specialiste e të ushqyerit dhe e fitnesit. Kjo do të bëjë që Levandovski, ashtu si Kristiano Ronaldo apo edhe më mirë se ai, të ketë jetë të gjatë sportive në nivele të larta.
Sfidanti.al