Shuhet legjenda Oto Bariç, Shqipëria pati fat ta kishte kroatin trajner në 2006-2007!

Shqipëria pati fatin ta kishte për gati dy vjet. Oto Bariç, një nga legjendat e vërteta të futbollit botëror, drejtoi kombëtaren në vitet 2006-2007, ndërsa nga Zagrebi vjen lajmi se trajneri i shquar u shua. Në moshën 87-vjeçare, kroati famëmadh, u nda prej nesh për shkak të koronavirusit. Bariç drejtoi 21 skuadra të ndryshme klubesh dhe kombëtaresh, ndërsa Shqipërinë e drejtoi 15 herë duke arritur 4 fitore, 5 barazime e 6 humbje. Një nga trajnerët më jetëgjatë të botës, ai u ul në stol për gati 950 ndeshje duke arritur thuajse 500 fitore. Udhëhoqi kombëtaren e Kroacisë në finalet e Europianit 2004 në Portugali, pak vjet pasi ekipi kroat doli në vend të tretë në Botërorin 1998. Në Euro 1996 ishte ndihmës i trajnerit Miroslav Blazheviç, në debutimin e ekipit përfaqësues në një finale të madhe ndërkombëtare, 5 vjet pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në 1979, ishte trajner i Jugosllavisë që fitoi medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare në Split, duke mundur Francën në finale.

Me klubet arriti suksese edhe pse nuk drejtoi skuadra të mëdha. Në 1985, udhëhoqi Rapidin e Vjenës në finalen e Kupës së Kupave të Europës humbur 1-3 përballë Evertonit, që atë sezon fitoi titullin në Angli. Në 1994 arriti finalen e Kupës UEFA me Salcburgun, pasi eleminoi Sportingun e Lisbonës, Frankfurtin dhe Karlsruhen, për t’u mundur dy herë 0-1 në finale nga Interi i Milanos. Gjithsej fitoi 18 tituj në Austri e Kroaci, duke shkëlqyer sidomos me Vakerin e Insbrukut, Rapidin e Vjenës, Salcburgun dhe Dinamon e Zagrebit, ndërsa mbahet mend edhe si trajner i Prishtinës në vitet 80-të. i mbiquajtur “Herr Oto” apo “Oto Maksimale”, vitet e fundit, ai u tërhoq në jetën e tij private, duke pasur si detyrë të fundit pikërisht postin tek Shqipëria.

Sfidanti.al