Unë jam shumë i pasur, shumica e njerëzve janë shumë më të varfër sesa unë, veçse unë do t’i marr këto para sepse m’i kanë dhënë, madje unë jam ndër më pak të paguarit në kampionat. Nuk është një monolog i ndonjë Teatri të Greqisë së Lashtë, shkruar nga Eskili, Sofokliu apo Euripidi. Jo, është monologu i futbollistit modern, madje nuk është vepër artistike, apo filozofike, por fjalë të një njeriu konkret, në një rast konkret.
Marten De Ron është një futbollist holandez, që kaloi nga Sparta e Roterdamit, Herenveni dhe Atalanta për të mbërritur tek Midëllsbrou në Premier Ligë. Pra, në vendin e parave me”thasë”. “Hera e parë që unë pashë sesa ishte rroga ime, mbeta i tronditur, – theksoi me sinqeritet mesfushori 25-vjeçar për median holandeze “Voetball International”, – kur shikon gjithë këto para në bankë, fillon t’i bësh vetes disa pyetje, mendon për gjithë ata persona që fitojnë shumë më pak se unë, dhe të cilët mund të kenë shumë nevojë për këto para”.
Më tej, De Ron shton se “bisedova me mamanë dhe babain, por im atë nuk u habit shumë pasi ai është drejtor i një shkolle, ndërsa mamaja ime punon si fizioterapiste për të moshuarit, ajo më tha se e gjitha kjo nuk ishte e drejtë”.
Gjithsesi, “molla bie nën mollë”, dhe gjendja ekonomike përcakton karakterin e njeriut. Edhe milioneri “humanist” De Ron nuk e mbajti gjatë habinë, dhe nuk ia vuri veshin mamasë që “kjo nuk është e drejtë”. Ai u bë si babai, pra nuk u habit shumë dhe nuk iu duk aq shumë e padrejtë. Siç thotë Qazim Mulleti tek teatri i famshëm, “pesë fronga sot, pesë nesër, nuk janë mo të qelbta, i del era”. “Gjithsesi, – i dha karar Marteni, – nuk duhet të jemi naivë. Madje, rroga ime është ndër më të voglat në gjithë Premier Ligën”.
E vërtetë, futbollisti De Ron, nuk kemi pse të presim që t’i ta refuzosh rrogën faraonike që të japin. Ky lloj humanizmi nuk mund të ndodhë. De Ron dhe futbollistët e tjerë që sot janë në një planet tjetër në krahasim me tifozët e tyre, thjesht do të detyrohen në të ardhmen, që të mos marrin rroga të tilla.
Sfidanti.al