Do të vinte dita! CSKA ndal serinë e humbjeve me superfitore

Mjerë atij ekipi që do t’i qëllonte dita e mallkuar në të cilën CSKA e Moskës do t’i jepte fund serisë së humbjeve në Euroligë. Ky fat i keq i takoi Emporio Armanit të Milanos, skuadrës me shumë emër nga Italia, por për momentin aspak në formë. Lombardët u dërrmuan në Pallatin e Sportit të kryeqytetit rus, me shifrat 64-101, dhe mbetën “bindshëm” në vendin e fundit në renditje. Moskovitët janë ende në vend të parë, pozicion që nuk e dorëzuan as pas tri humbjeve radhazi, jo më tani që fituan.

Me lojtarë të një niveli shumë të lartë si Nando De Kolo, Milos Teodosiç, Vitali Frixhon, Dmitri Kulagin, Andrej Voronceviç apo Kajl Hajns, CSKA u shkëput që në fillim për të mos u arritur më. Rezultati shkoi në 6-0, pastaj 27-9, ndërsa në pjesën e dytë rusët patën një shkëputje 14-0. De Kolo shënoi 22 pikë, Teodosiç pati 10 pikë e 7 asistë, Kulagin shtoi 12 pikë, Voronceviç 18 dhe Kulagin 12 pikë.

Për milanezët nuk mjaftuan serbët Milan Maçvan (19 pikë, 11 topa në tabela) e Mirosllav Raduljica (10 pikë) si dhe kroati Krunosllav Simon (15 pikë, 6 topa në tabela, 5 asistë). CSKA është në vend të parë me 13 fitore e 4 humbje (Olimpiakos i dyti me 12-5), ndërsa Milano në fund fare me 4 fitore e 13 humbje.

Sfidanti.al