Milan, Ibrahimovic stërvitet sërish vecmas, nuk do të jetë ndaj Parmës

Nuk mund të bëhet asgjë për Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez paraditen e kësaj të premteje u stërvit sërish vecmas pjesës tjetër të skuadrës dhe thuajse me siguri nuk do të jetë në dispozicion të Stefano Piolit as për ndeshjen e së dielës në San Siro ndaj Parmës.

Gjendja e tij fizike është duke u përmirësuar ndjeshëm pas dëmtimit muskular të pësuar në ndeshjen me Napolin, por Milani preferon të mos rrezikojë me rikthimin përpara kohe të tij në fushën e lojës duke marrë parasysh edhe kalendarin e ngjeshur që është deri në Krishtlindje. Në këtë pikë ka shumë mundësi që Ibrahimovic të kthehet në fushë për ndeshjen e së mërkurës kundër Genoas.

Pas mbylljes së fazës së grupeve në Europa League, Milanin e presin disa sfida delikate deri në pushime. Pas transfertës me Genoan, kuqezinjtë do të përballen me Sassuolon në Reggio Emilia dhe më pas me Lazion në San Siro. Kështu që është më mirë që të mos përshpejtohet koha e riaftësimit duke parë edhe rendimentin e skuadrës pas dëmtimit të Ibrahimovic; 4 fitore dhe 1 barazim pa suedezit në fushë, mjaftojnë për të siguruar ambientin kuqezi.

Sfidanti.al