Inter, Vidal bashkon grupin: Gjithcka për titullin kampion

Faza e grupeve në Champions dhe Europa League dhe futbolli italian feston pasi 6 skuadra kaluan në raundin tjetër dicka që nuk ndodhte prej 3 vitesh. Në apel mungon vetëm 1 skuadër, Interi që u rendit në vendin e fundit në Grupin e tij në Ligën e kampioneve duke i thënë lamtumirë kompeticioneve evropiane për këtë sezon.

Ishte ky një zhgënjim i madh për skuadrën e Antonio Contes edhe pse ky eliminim i parakohshëm i saj nga Liga e Kampioneve do të thotë përqendrim të të gjitha forcave në kampionat dhe Kupën e Italisë. Zikaltrit do të kenë më pak impenjime në krahasim me rivalët direktë për titull dhe ky është një faktor që Conte e ka shfrytëzuar shpesh në të kaluarën.

Titulli i Serie A tashmë është një detyrim për Interin për të shpëtuar sezonin dhe këtë e di shumë mirë Arturo Vidal që karikon shokët e skuadrës në profilin e tij në Instagram dhe i nxit ata që të japin gjithcka për titullin

‘Është shumë e trishtueshme të shohësh të humbasësh një mundësi unike për t’u kualifikuar në 1/8 të  finaleve të Ligës së Kampioneve, por do të ringrihemi dhe do të mësojmë nga gabimet tona duke dhënë maksimumin dhe të përqendrojmë të gjitha forcat në cdo ndeshje për të fituar titullin-shkruante Vidal në profilin e tij në Instagram.

Sfidanti.al