A mund të mbahen pa të deri në mes të dhjetorit? Kjo është prognoza më e saktë e mundshme, për momentin, për Zllatan Ibrahimoviçin, që pësoi dëmtim në ndeshjen në Napoli. Milani mori një lajm të keq, pasi fillimisht i dha “gajret” vetes se suedezi do të mungonte 10 ditë. Lëndimi është në muskulin dycepësh në këmbën e majtë dhe do të kërkojë normalisht 3 javë kohë për riaftësim. Mediat italiane kanë shkruar se kuqezinjtë kanë 3 lojtarë që i japin shpresë për të fituar titullin, Ibrën, Donarumën dhe Kesin. Për momentin, u kanë mbetur vetëm dy, ndërsa në gjysmën e parë të sezonit të kaluar, pa Zllatanin, ishin “për faqe të zezë”.
Sipas llogaritjeve të “La Gazeta delo Sportit”, Ibra do të mungojë në ndeshjet e Serisë A ndaj Fiorentinës e Sampdorias, si dhe në Ligën e Europës në sfidat kundër Lilës, Sëlltikut e ndoshta Spartës së Pragës. Ndeshja e parë me të në fushë mund të jetë ajo kundër Parmës në kampionat. Gjithsesi, pas 10 ditësh do të ketë vizitë tjetër mjekësore që mund të japë lajme më të mira, ndoshta po të njëjtat lajme, apo edhe më të këqija, ku i dihet! Trajneri i dytë, Bonera, theksoi pas fitores në Napoli se Milani ka edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, përveç sulmuesit kryesor, që kanë karakter dhe mund ta mbajnë ekipin lart.
Sfidanti.al