Tradhëti e klasit të lartë nga De Biazi! Sa gabim që të çuam në Europian….

Tradhëti e klasit të lartë mund të klasifikohet fraza e ish-trajnerit, Xhani De Biazi, e cila këto ditë ka bërë xhirron e “ç‘nderimit” nëpër dynjanë  tonë, pale në  zyrat stërmadhe të FSHF-së.  Kaq me helm  ishin fjalët e Xhanit, drejtuar futbollistëve të Azerbaixhanit, sa edhe në sektorin e “përgjimeve’” në  Federatë kanë ditë dhe netë  që po e hetojnë ..bombën!  Flama që nxorri nga goja Xhani  e kapërceu edhe orbitën e fundit të gënjeshtrës : “ Unë kam patur ekip më të dobët se ju (pra Shqipërinë!)  dhe ,prapëseprapë, e çova në finalet e Europianit!”. O zot, ishalla këto fjalë nuk mbërrijnë të plota në veshët e “zotit” tonë të futbollit, të atij magjistari bamirës ,  që ia bëri dhuratë kualifikimin në Europian trajnerit, i cili  qënka “hero” edhe në mosmirenjohje..

Si janë këta italianët? Sidomos këta që hibridizohen me llojin tonë. Xhanit i dhamë pasaportë shqiptare , i dhamë titullin “Honoris Causa”, kur sipas bëmave që ndodhën  duhet ta shijonte më parë vetë presidenti Duka, ( dhe jo ta merrte me kaq vonesë!).  I  falëm De Biazit dhe  majat e kodrave duke ngulur  posterat me fytyrën e tij per reklama . Ai kapi qiellin e shtate  kur  e veshëm me qeleshe dhe me rrobën kombëtare që të  na besohej më shumë se ishte bërë  dora jonë. U  shpall nga politika si trajneri më politikan i Kombëtares,dhe  në fund i dhamë edhe “shpirtin”,  kur  ndeshjet me Armeninë prekën   kulmin e  teatrit:  ne vetë do të “bënim golat”, kurse  ai kishte vetëm një punë për të bërë..do të gëzohej në fund të ndeshjes sikur e shpiku  vetë skemën e  fitores !

Le të thotë çfarë të dojë De Biazi, si trajner i Azerbaixhanit,  sepse si trajner i Shqipërisë  e morëm për të na mësuar futbollin dhe ia mësuam gjithë  marifetet. Madje dhe “gralin e shenjtë”… si shkohet  në finalet e Europianit! Mos ia vini veshin Xhani De Biazit sepse nuk është faji jonë kur  ka mbetur si peshku pa ujë, nuk po gjen dot një president “magjistar” në Azerbaixhan,  që t’ia bëjë ekipin e tij  që të ..fluturojë !

Sfidanti.al