Prag Holandë-Spanjë, miqësorja kthen emocionet e Botërorëve 2010 e 2014!

Kush mund ta ketë harruar golin e Andres Iniestës në stadiumin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut?  Ishte momenti që i dha Spanjës triumfin më të madh të historisë, dhe sot kombëtarja e mbiquajtur “furitë e kuqe” ka mbërritur në Amsterdam ku do të luajë miqësoren ndaj po këtij kundërshtari, Holandës në orën 20:45. Nuk do të jetë një duel kaq dramatik sa ai i finales së Kupës së Botës 10 vjet më parë, por sërish pritet spektakël, ndërsa kënaqësia është e madhe që mund të ketë miqësore edhe në këtë periudhë të ngjeshur nga Liga e Kombeve, si edhe nga koronavirusi.

Të dy trajnerët, Luis Enrike dhe Frank De Bur, pritet të bëjnë eksperimente që skuadrat të përgatiten për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, por edhe më tej për finalet e Kampionatit Europian. Luis Enrike i Spanjës nuk do të ketë Hesus Navasin dhe Ansu Fatiun e dëmtuar. Koke kthehet në kombëtare pas dy vjetësh, ndërsa Jorente i Atletikos së Madridit mund të debutojë Trajneri nuk është i qartë për rolin e qendërsulmuesit, pasi kohët e fundit ka aktivizuar Moratën, Gerard Morenon, Fatiun, Ojarzabalin apo Rodrigo Morenon. Kapiteni spanjoll, Sergio Ramos shpreson të shtojë edhe më tej rekordin personal të golave.

Tekniku holandez shpreson të arrijë fitoren e dytë në stolin “tulipan”, dhe të parin në 4 ndeshjet e fundit. De Bur e kupton se nuk do të jetë e lehtë të vazhdojë traditën e paraardhësit Ronald Kuman, që zgjodhi Barcelonën. Holandës i mungojnë dy portierë, Cilesen dhe Bajlov, ndaj u thirr i riu Dromel si mbështetje për Ter Shtegenin. Dy skuadrat kanë duele klasike mes tyre në mbi 60 vjet histori, ku holandezët kryesojnë me 6 fitore, 1 barazim e 4 humbje. Përveç finales së madhe në Afrikën e Jugut, spikat ndeshja në grup në Kupën e Botës në 2014 në Gjermani, ku “tulipanët” i dhanë leksion spanjollëve me fitoren 5-1.

Sfidanti.al