Federatë, Kovidi s’të lejon ta marrësh Kumbullën as me avion privat!

Nuk dëshiron ta humbasë për momentin vendimtar. Marash Kumbulla është kthyer në një nga shtyllat e kombëtares dhe Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur të bëjë gjithçka për ta sjellë në ndeshjet kyçe të Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë. Për momentin, Kumbulla është i ndaluar të largohet nga Italia për shkak të kufizimeve të koronavirusit, kufizime që përfshijnë lojtarët e Romës e të Fiorentinës, pasi sulmuesi Edin Xheko doli pozitiv.

Burime në Federatë bëjnë me dijë se po kontaktohet me autoritetet shëndetësore italiane, sidomos me ato të krahinës së Lacios, kontakte që po i mban edhe trajneri Edi Reja. Nga pala shqiptare jepet garanci se mbrojtësi i Romës do të udhëtojë në kushte sigurie të plotë, sipas të gjitha masave të parashikuara nga protokolli sanitar në Itali. Për këtë arsye, shpenzimi për 20-vjeçarin mund të arrijë në 45 000 euro.

Kumbulla është në formë të shkëlqyer këtë sezon, duke zënë menjëherë vend si titullar tek Roma, e duke shënuar dy gola, ndërsa skuadra kryeqytetase është kthyer në pretendente për titullin kampion në Serinë A. Kombëtarja shqiptare luan në 15 e 18 nëntor dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve, ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë, dhe synon fitoret për të dalë e para në grup dhe për t’u kualifikuar për më tej.

Sfidanti.al