Shqetësimi i Berishës për shiritin, pyet Rejën: A ke folur me Hysajn!

Cili është apo cili duhet të jetë udhëheqësi i kombëtares? Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj e kanë mbajtur shiritin që të dy gjatë këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa në prag të tri ndeshjeve të radhës, duket se ka një shqetësim lidhur me rolin e kapitenit. Këtë ndjenjë e ka portieri tashmë titullar i Shqipërisë, Berisha, dhe që ia shprehu trajnerit Edi Reja, ndërsa dolën në konferencën për shtyp përpara Kosovës. Të dy folën me zë të ulët, ndoshta duke harruar se mikrofonët ishin ndezur.

-A ke folur me Hysajn?, – tha Berisha. -Me kë? – u përgjigj Reja. -Me Hysajn për shiritin e kapitenit , – vazhdoi portieri. -Jo, i kam thënë gjithnjë që je ti kapiteni, kur …, përse? – u habit trajneri. -Për t’ia thënë edhe atij që ta dijë … për të mos pasur konfuzion … flasim më vonë, – e mbylli Etrit Berisha, ndërsa gazetarët prisnin fillimin e konferencës.

Parimisht, Reja ka të drejtë, pasi Hysaj ka qenë kapiten në ndeshjet ndaj Bjellorusisë në Minsk dhe kundër Lituanisë në “Arenën Air Albania”, pikërisht në sfidat kur Etrit Berisha nuk është thirrur për shkak dëmtimi. Në Kazakistan dhe Lituani, kapiten ishte Berisha, ndërsa mbrojtësi i Napolit mungoi. Kjo është hera e parë që të dy kapitenët janë së bashku në këtë edicion të Ligës së Kombeve, dhe shqetësimi i Berishës duket i drejtë. Nuk dihet nëse në kombëtare mund të ketë probleme nga kjo.

Sfidanti.al