Pavarësisht se kampionët në fuqi kanë gati dyfishin e fitoreve në histori ndaj rivalëve, sërish në vendin e madh europian mezi e presin këtë duel. Gjermania dëshiron që të ketë një sfidant të Bajernit dhe Dortmundi është i vetmi që mund t’i afrohet këtij “identifikimi”, pavarësisht se trajneri Lysien Favre nuk ka parë shumë ditë të bardha ndaj bavarezëve. Dueli i madh luhet sot në 18:30 në “Signal Iduna Park”, ndonëse në kushte koronavirusi, jo me mbi 80 000 shikuesit në tribuna dhe në “Murin e Verdhë”.
“Ne nuk duhet të mendojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por duhet të luajmë për të fituar, – thotë Favre, – skuadra ime e ka cilësinë, dhe besoj ka fituar më shumë pjekuri për t’ia dalë. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur”. Kolegu i tij, Hansi Flik, që ka pak më shumë se 1 vit në stolin e Bajernit, është i kujdesshëm. “Kam skuadër me karakter, por kohët e fundit kemi pasur lëkundje në lojën tonë, – thotë ai, – Dortmundi është ekip me entuziazëm dhe shpejtësi, ndaj duhet të jemi të përqëndruar për të dhënë maksimumin”.
Vendasit kanë një dyshim për Humelsin, ndonëse mbrojtësi pritet të luajë. Emre Xhan ka koronavirus, Shmelcer e Zagadu janë të dëmtuar, ndërsa talenti 16-vjeçar Mukoko nuk është grumbulluar këtë herë. Tek Bajerni mund të mungojë mbrojtësi francez Pavar (sipas “Bildit), ndonëse “Kikeri” e jep në formacion. Mungon Dejvis i dëmtuar, ndërsa Zyle dhe Zirkze kanë Kovid 19. Bajerni e Dortmundi kryesojnë renditjen e Bundesligës me nga 15 pikë pas 6 javësh.
Formacionet e mundshme
Dortmundi (4-2-3-1): Byrki, Mënie, Akanji, Humels, Gerrero, Vicel, Dahud, Sanço, Rojs, Rejna, Haland. Tr. Favre
Bajerni (4-2-3-1): Nojer, Pavar (?), Boateng, Alaba, Hernandez, Kimih, Gorecka, Gnabri, Myler, Koman, Levandovski. Tr. Flik
Sfidanti.al