Ajo që ngjet me futbollin është gati si një lojë e pashoqe me hipokrizinë. Sapo dolëm nga paraliza e bojkotit, ku për dy muaj futbollistët dhe tifozët krijuan një distancim social që nuk e bëmë dot as për Covidin, kërkojmë të fitojmë “kohën e humbur” duke vënë maskën e UEFA-s. FSHF i paska bërë një letër Qeverisë , një letër si ato të shkollës fillore, ku mësuesi shkruan në fletoren e nxënësit : “ I lumtë dora ..mamit!” Edhe FSHF-ja , këtë herë e kishte qëndisur letrën me “dorën e mamit”, ku lutej që nëpër stadiume, sidomos kur luan Kombëtarja, të lejohen 30 % e kapacitetit të tifozëve, siç ka ndodhur në disa vende të Europës. Kjo letër, sado bukur të ketë qënë stisur, e kishte përgjigjen në xhep edhe për një arsye tejet shqiptare : pak ditë më parë ishte Shteti që i lutej FSHF-së që të ndalonte bojkotin dhe të dilnin në fushë për të luajtur dhe ata …silleshin sikur nuk ishin Federate por vetë shteti !
S’ka shpërblim më të keq për protagonistët e Superligës, sapo dëgjojnë edhe një herë me veshët e tyre se kur flitet për Kombëtaren .. ne duam të shtiremi sikur jemi me pararojën e Europës. Na duhen njerëz nëpër stadiume, të paktën një e treta të jetë e populluar , sa për ta bërë më të vërtetë “bojkotin në lojë” të Kombëtares në ndeshjet e fundit. E paharruar do të mbetet gjasme- ndeshja me Lituaninë, një ngjarje e denjë për kornizë të zezë, që pati fatin se turpi i 90 minutave nuk arriti të marrë përmasat që meritonte, ngaqë u shtyp butoni i …bojkotit! Dhe një hall më i madh, gjithnjë e eklipson hallin më të “vogël”…
Sfidanti.al