Klasi i Hazarit e golat e Benzemasë, Reali lë pas sherret dhe fiton!

Reali duhej të tregonte ndaj Hueskës në La Liga se e kishte lënë pas lodhjen e mesjavës në Champions, por sidomos të kishte hedhur pas krahëve krisjen e madhe të ndodhur mes Karim Benzemasë dhe Vinisiusit. Për fat të dyja këto ndodhën siç e tregoi fitorja 4-1 dhe loja e mirë në ministadiumin “Alfredo Di Stefano”.

Lajmi i madh për tifozët madrilenë ishte kthimi në formacion i Eden Hazarit dhe talenti i madh belg tregoi pikërisht atë formë për të cilën u pagua një shumë që mund të arrijë në 140 milionë euro. Hazar shënoi golin e parë, ndërsa Benzema reagoi pas qortimit të trajnerit Zidan dhe kërkesës së faljes që i bëri Vinisiusit. Sulmuesi francez realizoi dy herë dhe tani ka 172 tundje rrjete në La Liga e 253 gola gjithsej për Realin, duke iu afruar vendit të katërt të renditjes së shënuesve të të gjitha kohëve që mbahet nga legjenda Santiliana.

Skuadra e Zidanit mbylli një javë shumë të mirë të cilën e nisi të shtunën e kaluar me fitoren 3-1 në fushën e Barcelonës në kampionat, dhe e vazhdoi me reagimin në Gjermani në Champions, ku barazoi 2-2 ndaj Mynshengladbahut pasi u ndodh në dizavantazh 0-2. Reali mban kreun e renditjes në La Liga me 16 pikë pas 7 ndeshjeve, dhe shpreson shumë që ta mbrojë titullin, ndonëse pritet që Barcelona të reagojë dhe ta sfidojë fort deri në fund.

Sfidanti.al