I përket një klubi me histori, por për momentin nuk po ka shumë fat. Keidi Bare është pjesë e Espanjolit, ndoshta jo një gjigand si Reali e Barcelona, por gjithsesi me 120 vjet histori e me trofe në elitën spanjolle, veçse shqiptari nuk po mundet në ndihmojë. Një muaj pas prezantimit me ekipin e tij, dhe tri javë pas debutimit në ligën e dytë të Spanjës, mesfushori i kombëtares shqiptare pëson dëmtim dhe detyrohet të rrijë pushim.
Ai ndjeu shqetësim muskulor në ndeshjen e kampionatit ndaj Ponferradinës, ku u aktivizua në minutën e 65-të duke e mbyllur në fushë. Ky shqetësim ishte në vazhdën e një dëmtimi që pati në ndeshjen e kombëtares në Lituani për Ligën e Kombeve luajtur në 14 tetor në Vilnius, dhe ku Bare ishte titullar. Sipas analizave mjekësore, futbollisti 23-vjeçar do të duhet të rrijë pushim për një muaj.
Kjo do të thotë se kombëtarja nuk mund ta ketë kur të luajë ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, atë ndaj Kazakistanit në 15 nëntor, dhe kundër Bjellorusisë në 18 të po atij muaji, që të dyja në “Arenën Air Albania” në Tiranë. Bare nuk do të jetë as në miqësoren ndaj Kosovës në 11 nëntor. Një mungesë e rëndësishme, pasi mesfushori është kthyer në pikë referimi në skemat e trajnerit Edi Reja.
Sfidanti.al