Përtej rezultatit ishte një reklamë futbolli. Mëkat i madh që në “Gudison Park” të 42 000 vendet ishin bosh, ndërsa derbi mes Evertonit dhe Liverpulit ishte një spektakël i Premier Ligës. Përfundoi 2-2, mes ekipeve të drejtuar nga dy trajnerë-mjeshtra si Karlo Ançeloti e Jurgen Klop, ndonëse duhet thënë se kampionët ishin më pranë fitores dhe do ta kishin merituar nëse do ta kishin arritur. Madje, u duk se ia dolën kur shënuan në minutën e 93-të me anë të kapitenit Xhordan Henderson, por një pozicion jashtë loje minimal, i shqyrtuar me VAR, bëri që gjyqtari ta anulonte rrjetën.
Sadio Mane kaloi Liverpulin në epërsi që në minutën e tretë, por Majkëll Kin barazoi kur nuk ishin mbushur ende 20 minuta lojë. Të kuqtë patën epërsi në organizim, në aksione dhe në raste, e logjikisht gjetën sërish avantazhin në 72’ me një veprim klasi të sulmuesit tjetër, Mohamed Salah. Ishte goli i 100-të i egjiptianit. Skuadra e Jurgen Klopit nuk u kënaq aspak me rezultatin 2-1 dhe kërkoi fitore më të thellë, por jo gjithnjë më i miri fiton në futboll. Ky sport shpesh nuk ka logjikë, dhe pas rasteve të miqve, erdhi goli i barazimit, shënuar nga Kalvert-Ljuis, i pari lojtar që shënon në 5 ndeshjet e para të kampionatit për Evertonin në mbi 80 vjet.
Ekipi i Karlo Ançelotit e ruajti vendin e parë në renditje edhe pas kësaj jave, duke pasur 13 pikë, ndonëse e mbylli ndeshjen me 10 lojtar për përjashtim me të kuq të sulmuesit Risharlison. Liverpuli ka 10 pikë, por tregoi reagim pas humbjes katastrofike 2-7 ndaj Aston Vilës. Gjithsesi, mbrojtja e titullit duket se do të jetë punë e vështirë.
Sfidanti.al