Coronvirusi përplaset edhe te Giro d’Italia. Simon Yates, kapiteni i skuadrës Mitchelton-Scott rezultoi pozitiv në testet me tampon dhe për këtë arsye ai u detyrua të braktisë kompeticionin. Britaniku shfaqi simptoma të lehta në përfundim të etapës të së premtes dhe menjëherë iu nënshtrua testeve për Covid 19 që konfirmuan se ishte pozitiv.
Sigurisht që Yates hyri në karantinë, ndërkohë që edhe pjesa tjetër e skuadrës iu nënshtrua testeve të shpejta dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Ndërkaq, Mitchelton-Scott do të vijojë garimin në Giro d’Italia falë autorizimit të marrë nga autoritetet përkatëse edhe pse gjithcka do të ndodhë nën kontrollin strikt të mjekëve
Përsa i përket vetë eventit, Giro d’Italia do të zhvillohet normalisht këtë fundjavë, ndërkohë që deri ditën e hënë do të kryhen teste me tamponë për ciklistët e të gjitha skuadrave. Në fakt ishte polanifikuar kryerja e testeve për skuadrat pjesëmarrëse që do të thotë se nuk ishte pozitiviteti i Yates që shtyu organizatorët të ndërmarrin këtë vendim. Në Giro d’Italia nuk aplikohet rregulli që ishte te Turi i Francës sipas të cilit nëse 2 persona rezultojnë pozitivë, atëherë e gjithë skuadra largohet nga eventi. Por këtu ekziston rreziku që në rast të ndonjë rasti tjetër pozitiv, atëherë autoritetet shëndetësore lokale mund të ndërhyjnë.
Sfidanti.al