Më mirë vonë se kurrë, por DFB-ja s’duhet të gabojë sërish si me Ozilin!

Duket se “rënia e tij e lirë” nisi pas sulmit të orkestruar që iu bë për shkak të fotos me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Mesut Ozil humbi shkëlqimin, ndërsa mediat gjermane dhe ato perëndimore, si dhe Federata Gjermane e Futbollit iu vunë “bat-bat” për shkak të asaj fotoje, që në fund të fundit ishte diçka e tij krej private. Më në fund, dy vjet me vonesë, DFB-ja po pranon atë që duhej ta kishte thënë që ditën e parë, që gaboi në mënyrën sesi e trajtoi atë rast. “DFB-ja bëri gabime në menaxhimin e ngjarjeve që ndodhën në rastin e Ozilit, – tha sekretari i përgjithshëm, Fridrih Kurtis, – një foto u bë çështje e nxehtë për shumë tema. Në momentin kur nisën aludime raciste, ne gabuam duke mos u takuar sa më shpejt me lojtarin”.

Sulmet raciste ishin të shumta, dhe Ozili në shenjë proteste u tërhoq nga kombëtarja gjermane. “Me zemër të vrarë dhe pasi u mendova gjatë për shkak të ngjarjeve të fundit, vendosa të mos luaj më për Gjermaninë, – shkruajti Ozili në një letër të gjatë publike, – unë ndjej se drejt meje ka një ndjenjë racizmi dhe mungese respekti … kur zyrtarë të lartë të Federatës më trajtojnë ashtu siç më trajtuan, ata ofendojnë rrënjët e mia turke, duke më kthyer në propagandë politike”. “Erdogani është presidenti i tanishëm i Turqisë dhe unë do ta respektoj, kushdo që të jetë në atë pozicion, – theksoi më pas Ozili, – edhe pse linda dhe u rrita në Gjermani, Turqia është pjesë e trashëgimisë time”. Në atë kohë, Ozili u mbrojt nga trajneri gjerman i Liverpulit, Jurgen Klop.

Sfidanti.al