Tjetër “gur kilometrik” për Lebronin në fitoren ndaj Bruklinit!

Asnjë basketbollist më parë nuk e kishte arritur këtë. Lebron Xhejms u bë i pari “absolut” në NBA që ka 30 000 pikë (edhe më shumë se kaq), 8 000 topa në tabela dhe 8 000 asiste në karrierë, shifra që ai do të vazhdojë t’I rrisë. Nëse nuk do t’ia dalë të shpallet më i miri i të gjitha kohëve, e ka të sigurt se do të jetë më i kompletuari në histori.

Lebron ia doli me tripëll dabëllin që realizoi në fitoren e vështirë të Klivlendit ndaj Bruklin Netsit, me shifrat 129-123. Xhejms shënoi 31 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, duke pasur 67 tripëll dabëlla në karrierë, i dyti ndër lojtarët që luajnë ende, pas Rasëll Uestbrukut.

Po ashtu, ai ka një mesatare tripëll dabëlli gjatë muajit shkurt me 27 pikë, 10.5 topa në tabela e 10.5 asistë. Vetëm 3 basketbollistë të tjerë mund të mburren se ia kanë dalë gjatë gjithë historisë së NBA-së dhe këta janë Oskar Robertson Uilti Çembërlen dhe Rasëll Uestbruk.

Gjithsesi, synimi më i madh i Lebronit është që të udhëheqë Klivlendin drejt finales së madhe të NBA-së dhe mundësisht të fitojë titullin, që do të ishte i katërti në karrierën e tij. Për momentin, nuk duket aspak e lehtë pasi Kavaliersët janë në vend të tretë në Lindje, me 36 fitore e 24 humbje.

Sfidanti.al