Për “mbretin e asisteve”, Tomas Myler, ky ishte një nga titujt më të bukur!

Tetorin e kaluar nuk e pati mendjen tek festa e birrës, por tek largimi. Ishte një tronditje tek Bajerni, por jo një rrufe në qiell të pastër, pasi Tomas Myleri nuk po luante në formacion. (Ish) Trajneri Niko Kovaç kishte thënë disi me mospërfillje se “nëse do të kemi nevojë për të, ai do të ketë minutazhin e tij”. Këto fjalë thuheshin për një legjendë bavareze, që nuk ishte më shumë se 29 vjeç.

Kovaç u largua pasi u prish me yjet e skuadrës, dhe Hansi Flik, “shtypi butonin e ringjalljes” për Mylerin bavarez. Në përfundim të sezonit, sulmuesi ka pak gola, 7, por vendosi rekordin e asisteve në një edicion të Bundesligës me 21 të tillë. Myleri u ndje sërish i rëndësishëm, dhe ishte vërtet i rëndësishëm. Nëse Kovaç gaboi jo edhe aq me skemat, sesa me vlerësimin e rëndësisë së sulmuesit tek Bajerni, Fliku e kuptoi shumë mirë, se më shumë sesa skemat vlen harmonia në skuadër.

Për këtë arsye, Myleri e veçon titullin e fituar tani. “Është një nga titujt më emocionalë të karrierës sime, – deklaroi ai pas fitores së djeshme, – unë e krahasoj vetëm me titullin tim të parë këtu, si tepër të veçantë, tepër emocional, me ngarkesë shumë të madhe, me shumë lodhje, por edhe lumturi dhe lehtësim”. Për Bajernin ishte titulli i 9-të radhazi, ku protagonist ka qenë padyshim Tomasi. Myleri ka 10 tituj me Bajernin, ka Championsin, ka 5 Kupa të Gjermanisë, 5 Superkupa të Gjermanisë, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet. Me Gjermaninë, doli kampion i botës në 2014, ndërsa në Bundesligë ka 118 gola, por sidomos 146 asistë në 351 ndeshje. Vërtet një fenomen, edhe pse jo një fenomen talenti.

Sfidanti.al