Leonard, përse nuk krijon një “dinasti” titujsh në NBA?!

Nuk kishte ndodhur kurrë që Lojtari më i mirë i finaleve të NBA-së, gjithashtu fituesi i titullit, të largohej menjëherë nga skuadra. Këtë e bëri për herë të parë në histori Koui Leonard, duke braktisur Toronto Raptorsin për Los Anxhelos Klipersin. Kjo, vetëm një vit pasi iku nga San Antonio për në Kanada, duke realizuar një nga sezonet më të mëdhenj të të gjitha kohëve.

Pra, pasi qendroi besnik i Spërsave për 7 edicione me radhë, 28-vjeçari hyri në një “karusel” nga cili nuk po mundet të dalë. Përse këto lëvizje të kampionit? Nga San Antonio, Koui u largua sepse klubi nuk pati besim tek ai, siç e tregon xhaxhai i tij, Denisi. Leonardit i ndodhi një dëmtim i rëndë që e la jashtë gati 1 vit, dhe mjekët nuk po e besonin, mesa duket ky dyshim kaloi edhe tek trajneri Greg Popoviç.

Po Toronton, përse e braktisi? Gjasat janë që ai të mos e kishte vlerësuar skuadrën kanadeze si destinacionin përfundimtar, madje mediat amerikane shkruajnë se edhe klubi e dinte këtë gjë. Këtë herë ishte Leonardi që nuk kishte besim se do të fitonte gjatë me Raptorsët, ndoshta pati mall për shtëpinë, si djalë i lindur në LA. Më së fundi, besohet se Koui mendonte se një skuadër nga Los Anxhelosi kishte më shumë shanse të konkurronte për titull.

Ai bisedoi menjëherë me Pol Xhorxhin, dhe ky erdhi nga Oklahoma, ndërsa nuk arriti të bindte Kevin Durantin përpara tij. Leonard do të ketë tashmë një derbi në Kaliforni me Lebron Xhejmsin dhe Entoni Dejvisin e Lejkërsave, pse jo edhe me Golden Stejtin e Stefën Kërrit dhe Klej Tompsonit.

Sfidanti.al