Presidenti i Barçës e ka pasur fjalën që De Ligti do luajë tek Juvja

Zhozep Bartomeu u shpreh si një orakull i fshehur, se e dinte që në pranverë se ku do të luante De Ligti, dhe me shumë gjasë e ka ditur se do të shkonte tek Juventusi. Tashmë që qendërmbrojtësi holandez ka rënë dakord personalisht me kampionen e Italisë, vështirë të ketë të papritura, ndërsa ja ku vjen edhe një detaj shtesë.

“La Gazeta delo Sport” informon se kapiteni i Ajaksit i paska telefonuar trajnerit juventin, Mauricio Sarri, si të thuash, për ta njohur pak më mirë përpara sesa të kryhet transferimi nga Amsterdami në Torino. De Ligti i ka kërkuar informacion Sarrit mbi skuadrën dhe mbi filozofinë e lojës së teknikut të ri. Gazeta italiane nxjerr me të drejtë përfundimin se “kjo do të thotë se, jo vetëm bisedimet po ecin mirë, por që edhe vetë djaloshi ka interes të dijë se çfarë e pret tek Juvja”. Mbetet vetëm që dy klubet të merren vesh, por kjo besohet se do të ndodhë shpejt.

Sfidanti.al