Guardiola: Pse kemi humbur 9 ndeshje në Ligë? As unë nuk e kuptoj!

Kurrë në një karrierë që ka nisur në 2008-ën, nuk kishte pësuar një sasi të tillë disfatash në një sezon të vetëm, në kampionat. Pep Guardiola besohet se e kupton mirë sesa e vështirë është të jesh trajner në Angli, ku çdo skuadër është gati të të hidhet në fyt, siç bëri Sauthemptoni, vetëm pak ditë pasi Mançester Siti shkatërroi 4-0 Liverpulin. “Është e vështirë edhe për mua që të gjej arsyet se përse kemi humbur 9 ndeshje në Premier Ligë këtë sezon, – deklaroi tekniku katalanas, – më duket se kemi problem që nuk po shënojmë gola sa duhet, pasi kemi pasur shumë raste në çdo ndeshje, edhe kur kemi humbur. Kuptohet që duhet të përmirësohemi”.

Guardiola nuk deshi të bënte me faj portierin Ederson, për të cilin trajneri kundërshtar, Hazenhytl deklaroi se bëri gabim që doli shumë nga porta e tij, dhe Sauthemptoni e shfrytëzoi. “Edersoni na duhet për të organizuar lojën që nga porta, – tha ai, – ai na ndihmon shumë dhe ne luajmë shumë më mirë me të, dhe gabimet janë pjesë e lojës”.

Sfidanti.al