Edhe Konte e pranon: S’jemi ekip i madh, gati revolucioni tek Interi!

Krahasimet me trajnerët e mëdhenj të së kaluarës nuk mund të mos bëhen, edhe pse gjithmonë krahasimet çalojnë. Pra, do të mundet Antonio Konte, përmes vështirësive kaq të mëdha, e përballë një Juventusi kaq dominues, të ndërtojë një Inter që të LUFTOJË VËRTET për titull sezonin e ardhshëm? Vetë trajneri është i detyruar të flasë me “karta të hapura” pas humbjes me Bolonjën.

“Nuk jemi një skuadër e madhe, – u shpreh ai shqeto, – që të gjithë jemi në diskutim, që nga unë i pari. Zhgënjimi është tepër i madh, të paktën për pjesën që më takon për vete. Shpresoj që këtë zhgënjim ta kenë edhe lojtarët e mi, të paktën 1 për qind”. Kaq i madh është dëshpërimi te trajneri, që tregon mentalitetin e tij fitues. Një luan i mbyllur në një kafaz zikaltër që quhet Inter. “Unë jam së pari i zemëruar me veten, sepse jam unë drejtuesi i kësaj skuadre, unë kam punuar me të, – vazhdon Konte, – por, uroj që edhe lojtarët të jenë të zemëruar me veten. Gjithsesi, vazhdoj të them se mora në dorë një produkt gjysmë të gatshëm, pra që duhen përmirësuar shumë gjëra”.

Konte paralajmëron se që të gjithë duhet të tregojnë që e meritojnë Interin, ndërsa mediat shkruajnë për revolucion në Milano. Galiardini, Godin, Borha Valero, Vesino, Biragi e Mozes janë lojtarët që pritet të largohen. Drejtori Bepe Marota ka theksuar se “po bëjmë vlerësime të rëndësishme, dhe ato përfundimtaret do të bëhen në ndeshjet që duhen deri në përfundim të sezonit”. Humbja në “San Siro” me Bolonjën e rikujtoi këtë frazë.

Sfidanti.al