“Dhe i vetëm, trim në luftë”, Bjellorusia (dhe Bakaj) sfidon koronavirusin!

Do të vazhdojë të dalë në fushë, të paktën siç shihet deri tani. Elis Bakaj jo më kot thotë se është i vetmi futbollist shqiptar që mund t’i përgjigjet thirrjes së kombëtares, nëse i vjen tani. Sulmuesi tiranas ka pasnesër ndeshjen e radhës, atë që Dinamo e Brestit do ta luajë në fushën e Sluckut, ndërsa Premier Liga e Bjellorusisë zhvillon javën e dytë. Gjithë Europa është e habitur sesi ka mundësi që ish-republika sovjetike po vazhdon të sfidojë epideminë e quajtur e shekullit, pra koronavirusin, dhe jo vetëm që nuk e ndërpret aktivitetin sportiv, por e bën me tifozë nëpër stadiume.

Jo se virusi nuk ka mbërritur në tokën bjelloruse, ndonëse tifozët sërish blejnë bileta dhe festojnë për futbollin. Të paktën 86 raste janë konfirmuar, ndërsa janë kryer plot 23 000 teste, e nuk ka ende ndonjë të vdekur. Presidenti Lukashenko i ka ftuar njerëzit që të mos kenë frikë nga sëmundja, por sidomos të punojnë në fshat, tani që është periudhë të korrash.

“Njerëzit thjesht duhet të punojnë në fshatra, sidomos tani, – tha ai, – është bukur të shohësh televizor në shtëpi, po ashtu njerëzit po punojnë me traktorë, dhe askush nuk po flet për virusin. Atje, traktori do t’i shërojë të gjithë. Fushat i shërojnë të gjithë”.

Lukashenko pëlqen të shfaqet në publik në formën tradicionale bjelloruse, pra hipur mbi traktor, apo edhe duke korrur barin, ndërsa Bjellorusia me 9 milionë banorë njihet si krahinë bujqësore dhe prodhuese e madhe e traktorëve, sidomos në uzinën e Minskut.

Skuadra e Elis Bakajt, ndërkohë, barazoi ndeshjen e parë luajtur në fushën e saj, 1-1 ndaj Smoleviçit, ndërsa sezonin e kaluar fitoi titullin kampion për herë të parë në histori.

Sfidanti.al